DEKLARATË PËR POLITIKAT E PRIVATËSISË MBI REKRUTIMIN

I nderuar aplikant!

Duke vlerësuar interesimin tuaj për të aplikuar për këtë pozicion të lirë pune, ju informojmë se InfoSoft Management Services sh.p.k është Shoqëria e autorizuar për ofrimin e shërbimeve për rekrutimin e kandidatëve të interesuar për t’u punësuar pranë Shoqërive të InfoSoft Group.

Kjo Shoqëri siguron çdo aplikant se të dhënat që mbërrijnë në bazën e të dhënave të saj, ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe është e përkushtuar të zbatojë rigorozisht të gjithë kuadrin ligjor, në mbrojtje të të dhënave të paraqitura. Më konkretisht, respektimin e detyrimeve të shprehura në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Ligjin në fuqi (Nr. 9887 datë 10.03.2008) “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” i ndryshuar dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.

Mbledhja e të dhënave personale.

Gjatë proceseve të ndryshme që kanë të bëjnë me rekrutimin, kur ju kontaktoheni nga Shoqëria InfoSoft Management Services sh.p.k. apo edhe kur ju vetë kontaktoni Shoqërinë për të prezantuar kualifikimet tuaja apo preferencat në lidhje me një pozicion për të cilin doni të aplikoni, mund të dalë e nevojshme dhënia e të dhënave personale. Për më tepër, ju mund të jepni edhe informacione shtesë të pa kërkuara në formën e CV/jetëshkrimit, referenca nga punësime të mëparshme apo informacione për personat referues që mund të kontaktohen nga Shoqëria.

Nëse ju jepni informacion në lidhje me persona të tjerë, si individë referues, ju jeni përgjegjës për vërtetësinë e informacionit të dhënë dhe marrjen e çdo pëlqimi të nevojshëm prej tyre, me qëllim që Shoqëria t’i kontaktojë për verifikimin e informacioneve të dhëna nga ju.

Bazuar në referencat tuaja, InfoSoft Management Services sh.p.k. gjithashtu mund të mbledhë informacion për ju edhe nga palë të treta, por në çdo rast brenda qëllimit të rekrutimit, duke u kujdesur të mos mbledhë dhe të mos përpunojë të dhëna të panevojshme, e përcaktuar kjo në bazë të Ligjit Nr. 9887, i datës 10.03.2008 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”.

Qëllimi i përdorimit të të dhënave personale.

Me dëshirën për të patur një bashkëpunim sa më efiçent, garantojmë se përpunimi i të dhënave tuaja do të bëhet vetëm për qëllime rekrutimi pranë Shoqërive të Infosoft Group, në funksion të vlerësimit të përshtatjes së profilit tuaj me kriteret e posteve të lira.

Informacioni që ju dorëzoni tek InfoSoft Management Services sh.p.k. gjatë procesit të rekrutimit/punësimit mund të përdoret për t’ju kontaktuar dhe komunikuar me ju, si dhe për administrimin në përgjithësi të të gjithë procesit, në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator, si dhe politikat e brendshme të Shoqërisë.

Nëse jeni të suksesshëm gjatë procesit të rekrutimit dhe punësoheni, të dhënat tuaja personale do të jenë pjesë e dosjes suaj të mbajtur nga punëdhënësi dhe mund të përdoren për qëllime të lidhura me punësimin ose punën.

Masat për garantimin e sigurisë dhe ruajtjen e konfidencialitetit.

Në cilësinë e kontrolluesit dhe përpunuesit, deklarojmë se kemi marrë masat e duhura organizative dhe teknike për të mbrojtur të dhënat personale nga shkatërrime të paligjshme dhe/apo aksidentale, humbjes, manipulimit si dhe aksesit apo përhapjes së tyre nga persona të paautorizuar.

E drejta për të kërkuar korrigjimin/ndryshimin/fshirjen e të dhënave personale.

Referuar legjislacionit në fuqi, kushtuar mbrojtjes së të dhënave personale, nëpërmjet një kërkesë dërguar me postë elektronike në adresën zyrtare humanresources@infosoftgroup.com.al, ju keni të drejtë të kërkoni korrigjimin/ndryshimin apo fshirjen e të dhënave tuaja, të cilat janë plotësuar vullnetarisht gjatë aplikimit për punësim.

Transferimi i të dhënave.

Duke klikuar mbi “Pranoj” ju jepni pëlqimin/miratimin tuaj për përpunimin e të dhënave të paraqitura nga ju, në formularin e aplikimit për punësim dhe fazave të tjera të rekrutimit.

Gjithashtu, me pranimin e përpunimit të të dhënave, nënkuptojmë se të dhënat tuaja mund të transferohen nga InfoSoft Management Services sh.p.k. në një Shoqëri tjetër brenda InfoSoft Group, e cila mund të shprehë interes për punësimin tuaj, bazuar në të dhënat profesionale që keni dërguar (CV dhe kualifikimet etj.), duke respektuar në çdo rast legjislacionin në fuqi.

Në këtë mënyrë, ju jepni pëlqimin/miratimin tuaj që kjo Shoqëri të përpunojë të dhënat e paraqituara dhe pranoni që mund te kontaktoheni prej saj për qëllime rekrutimi/punësimi.

Afati i ruajtjes së të dhënave personale.

Të dhënat tuaja do të ruhen në bazën tonë të të dhënave deri në momentin e realizimit të qëllimit dhe do të konsiderohen për qëllime rekrutimi, jo vetëm për postet aktuale vakante, por edhe për mundësi të tjera punësimi që mund të shfaqen në të ardhmen, në Shoqëritë e InfoSoft Group.